
Eksperti i sigurisë Ervin Karamuço ka folur lidhur me skenarin e mundshëm të lëshimit të një rakete nga Irani drejt Ballkanit dhe mënyrën se si do të funksiononte sistemi i mbrojtjes.
Sipas tij, në rast se një raketë balistike ngrihet nga Irani drejt rajonit pa një destinacion të qartë, Rumania do të ishte qendra kryesore për interceptimin e saj në Ballkanin jugperëndimor.
Karamuço shpjegoi se sapo një raketë të identifikohet, Rumania jep sinjalin e alarmit, ndërsa koordinimi i operacionit kryhet nga Gjermania, e cila vendos se cili sistem mbrojtës do të përdoret për ta neutralizuar kërcënimin.
Ndërkohë, Spanja ka rol monitorues për zonën e Mesdheut, duke ndjekur zhvillimet dhe trajektoren e mundshme të raketës.
Në këtë proces aktivizohen bateritë kundër-balistike të NATO-s, të cilat synojnë të ndërpresin dhe neutralizojnë raketën përpara se ajo të arrijë objektivin.
Sipas ekspertit të sigurisë, sistemi i mbrojtjes ajrore në rajon është i koordinuar dhe përditësohet vazhdimisht për të përballuar skenarë të tillë.
“Nëse ngrihet një raketë nga Irani drejt Ballkanit pa një destinacion të qartë, qendra kryesore për interceptimin e saj në Ballkanin Perëndimor jugperëndimor është Rumania.
Sa raketa ngrihet, Rumania jep sinjalin. Gjermania është koordinatore për vendosjen e sulmit, ndërsa Spanja monitoron situatën për Mesdheun.
Aktivizohen bateritë kundra-balistike. Gjermania vendos se cila do të nisë raketat për të neutralizuar balistikën që po vjen dhe për të prishur skenarin e sulmit.
Kjo është e gjitha. Ekziston një mbrojtje e jashtëzakonshme dhe të gjitha sistemet përditësohen vazhdimisht”, tha Karamuço për “Euronews Albania”.
