“Islamofobia paraqet rrezik real për shoqërino gjermane”

Ministrja gjermane e Migracionit, Refugjatëve dhe Integrimit, Annette Widmann-Mauz, ka shprehur shqetësimin në lidhje me islamofobinë, duke paralajmëruar se ajo paraqet “një kërcënim real” ndaj kohezionit social, raporton AA.

Duke prezantuar raportin vjetor qeveritar për gjendjen e integrimin në kryeqytetin Berlin, Widmann-Mauz tha se “e djathta ekstreme, anti-semitizmi dhe armiqësia ndaj muslimanëve janë një rrezik shumë real që duhet ta luftojmë në mënyrë konsekuente dhe të qëndrueshme”.

“Jam e shqetësuar për çdo zhvillim ekstremist, ku njerëzit po luftohen, fyhen dhe kërcënohen për shkak të origjinës së tyre, për shkak të besimit të tyre apo për shkak se ata duken ndryshe. Dhe kjo është arsyeja pse është urgjente që edhe ne të njohim qartë se kjo është rrezik real. Një kërcënim për këtë shoqëri, për kohezionin e saj”, tha ajo.

Widmann-Mauz tha se një shoqëri e lirë dhe e sigurt duhet “t’u garantojë të gjithë njerëzve se mund të jenë të ndryshëm pa u frikuar”.

Në Gjermani është shënuar rritje e krimeve të urrejtjes kundër muslimanëve në vitet e fundit të shkaktuara nga propaganda e urrejtjes nga partitë e ekstremit të djathtë.

Në vitin 2018 më shumë se 100 xhami dhe institucione fetare u sulmuan nga ekstremistët e djathtë.

Policia ka regjistruar 813 krime të urrejtjes kundër myslimanëve vitin e kaluar, duke përfshirë fyerje verbale, letra kërcënuese dhe sulme fizike që çuan në të paktën 54 muslimanë të lënduar.

Komuniteti Mysliman i Gjermanisë nuk ndihet mjaft i sigurt shkaku i islamofobisë në rritje, thotë për AA Burhan Kesici, kryetar i Këshillit Islamik me qendër në Berlin.

“Këtë vit patëm më shumë se 80 sulme ndaj bashkësive të xhamive në Gjermani. Situata e sigurisë është shumë e tensionuar. Myslimanët nuk po ndjehen mjaft të sigurt”, tha ai.

“Autoritetet e sigurisë duhet të punojnë patjetër me bashkësitë (muslimane), të zhvillojnë koncepte dhe të japin këshilla. Përndryshe, muslimanët humbasin besimin në agjencitë e sigurisë”, shtoi ai.

Si një shtet me 81 milionë banorë, Gjermania është shteti i dytë pas Francës që ka popullësi më të madhe të muslimanëve në Evropën Perëndimore.

Në mesin e rreth 4.7 milionë muslimanëve të vendit, të paktën 3 milionë janë me origjinë turke.

.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com