
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në Tiranë, ku një 47-vjeçar është gjetur i pajetë brenda banesës së tij. Dyshimet e para të autoriteteve janë se bëhet fjalë për një akt vetëvrasjeje me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur më 9 mars 2026, rreth orës 21:40, në rrugën “Sotir Caci” në kryeqytet. Viktima është identifikuar me inicialet B. G., 47 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar veten me një armë zjarri tip pistoletë brenda banesës së tij.
Pas njoftimit për ngjarjen, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.
Hetuesit po kryejnë verifikime të mëtejshme për të përcaktuar me saktësi dinamikën e ngjarjes, ndërsa po merren në pyetje edhe persona që mund të kenë dijeni për rrethanat që paraprinë këtë episod tragjik.
Ndërkohë, trupi i pajetë i 47-vjeçarit është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, e cila pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkaqet dhe momentin e saktë të vdekjes.
