“Sulmet ajrore të forcave të Haftarit janë krime lufte”

Autoritetet e Tripolit kanë dënuar sulmet ajrore të kryera nga forcat e komandantit Khalifa Haftar me seli në Libinë lindore që vranë të paktën 16 njerëz, kryesisht fëmijë, transmeton AA.

“Këto veprime janë të barazvlershme me krime lufte”, thuhet në një kumtesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB).

GNA i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të marrë përgjegjësinë e tij drejt ndalimit të këtyre veprimeve kriminale që synojnë dhe terrorizojnë civilët”.

Qeveria me qendër në Tripoli dje njoftoi se pesë fëmijë u vranë në sulme ajrore ndaj kryeqytetit nga forcat e komandantit Khalifa Haftar.

Më herët, nëntë fëmijë dhe dy gra u vranë nga sulmet e dronëve të operuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), që mbështesin Haftarin.

GNA vazhdimisht ka fajësuar EBA-n për mbështetjen e forcave të Haftarit ndërsa EBA ka mohuar akuzat.

Forcat besnike të gjeneralit Haftar në prill filluan një fushatë për të pushtuar Tripolin nga GNA, por deri më tani nuk kanë arritur të bëjnë përparime përtej kufijve të kryeqytetit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përleshjet midis dy palëve që nga ajo kohë kanë shkaktuar më shumë se 1.000 të vdekur dhe rreth 5.500 të plagosur.

Që nga rrëzimi nga pushteti i ish-sundimtarit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri rivale, një në lindje, e udhëhequr nga komandanti Haftar, dhe GNA me qendër në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së.

.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com